“Vettel është më mirë nga ana mentale se Hamilton”. Kjo është deklarata që me shumë siguri do të acarojë bokset e Mercedes, lëshuar nga kampioni i botës në fuqi, Nico Rosberg.
Gjermani që prej muajsh e shijon F1 si spektator, pas tërheqjes së parakohëshme nga bota e automobilizmit, mendon se piloti i Ferrarit është në formë shumë të mirë për momentin, por ka fatin kundër.
“Lufta për titullin është e pabesueshme. Vettel ka fatin kundër në këtë periudhë, por gjërat mund të ndryshojnë në mënyrë të papritur. Hamilton është shumë më konkret, por besoj se Vettel është pak më mirë nga ana mentale. Ka aftësinë për të mos humbur përqendrimin dhe nga tani nuk ka më asgjë për të humbur. Ndërkohë Lewis nuk duhet të humbasë busullën, duke menduar se është fitues”, deklaroi Rosberg.
Më tej Rosberg që ka një jetë që punon me Hamilton, zbulon disa nga pikat e tij të dobëta: “Është pilot shumë i ndjeshëm, që mund edhe të rrëmbehet nga një situatë e caktuar. Mjafton të kujtojmë vitin e shkuar, kur bëri fjalë me disa gazetarë për një video në “Snapchat”. Humbi shumë energji në një moment shumë vendimtar për sezonin dhe e pagoi. Kur garohet në nivele kaq të larta, edhe detajet më të vogla mund të bëjnë diferencën”.
Por gjithsesi parashikimi mbetet për Hamilton: “Në fund Hamilton do të arrijë të fitojë kampionatin, por gjithçka varet prej tij. Rezultatet e Japonisë na kanë hequr mundësinë për të parë një finale emocionuese të sezonit. Si spektator asnjanës them se ky është mëkat”, deklaroi Rosberg.
Top Channel