Rama, “urimi” i fundit; Tahiri: S’keni parë gjë akoma

19/10/2017 23:35

Kryeministri Edi Rama nuk ka dalë në publik për çështjen më të nxehtë të orëve të fundit, atë të Saimir Tahirit, por komentet e tij nuk kanë munguar virtualisht.

I fundit u duk si një urim i fundmë, për ish-bashkëpunëtorin e tij.

“Uroj që Saimiri të provojë deri në fund që s’ka lidhje me këtë histori kriminelësh”, tha Rama.

Kjo ishte hera e tretë që ai reagonte të enjten, pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm. Rama thekson se tashmë të vërtetën e thotë vetëm drejtësia dhe “deri në fund”.

Por, duket se këtë koment të Kryeministrit, Saimir Tahiri e ka ndjekur me shumë vëmendje në banesën e tij te Kodra e Diellit, e cila ishte rrethuar gjatë pasdites nga dhjetëra mbështetës të ish-ministrit të Brendshëm, mes tyre edhe oficerë policie.

Me aq vëmendje e ka ndjekur, sa duke dalë nga shtëpia i ka kthyer ish-shefit të tij politik një batutë thuajse paralajmëruese, pak orë para daljes së tij në një intervistë televizive.

“Nuk keni parë gjë akoma”, deklaroi ai.

Kjo është një prej batutave më të njohura të Kryeministrit Edi Rama në këto katër vitet e fundit, që kryesisht ia ka adresuar shpesh kundërshtarëve të tij.

A është atëherë ky sinjali i fillimit të fundit të miqësisë së tyre mbi 12-vjeçare?

Top Channel