PD: Të mblidhet Komisioni i Mandateve

19/10/2017 20:45

Anëtarët e PD në Komisionin e Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve u paraqitën në Kryesinë e Kuvendit, ku kërkuan mbledhjen urgjente të këtij komisioni.

Kjo, pasi sipas tyre çdo minutë që kalon, Edi Rama dhe Saimir Tahiri e shfrytëzojnë për prishjen e provave të krimit.

“Kërkojmë menjëherë, që tani mbledhjen e Këshillit për Rregulloren Imunitetin dhe Mandatet, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për arrestimin e Saimir Tahirit. Çdo minutë që kalon shërben për të shkatërruar provat e krimit që lidhin Tahirin me Edi Ramën. Çdo minutë që kalon i shërben krimit dhe është kundër drejtësisë dhe kundër qytetarëve. Ndaj i bëjmë thirrje Gramoz Ruçit që të fillojë menjëherë mbledhjen e Këshillit për të shqyrtuar menjëherë, tani kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm”, deklaroi deputeti Eduard Halimi.

Nga Partia Socialiste, kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla ka deklaruar se, procedurat do të niqen normalisht dhe në shërbim të drejtësisë. “Procedurën do ta bëjmë njësoj. Beteja jonë për drejtësi të mos ketë asnjë pengesë. Nuk ka për të patur në Kuvend një votë të PS kundër drejtësisë. Drejtësia është fjala jonë e vetme”, ka thënë Balla.

Edhe Balla ka nënvizuar se Komisioni për Imunitetin dhe Mandatet duhet të mblidhet sa më shpejt, ndonëse se ka shtuar se, “kukuvajkat duan ta kthejnë në një luftë politike”.

Top Channel