Në një deklaratë për mediat, nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi ka dhënë disa detaje mbi operacionin policor të zhvilluar në fshatin Babicë të Vlorës.
Në deklaratën e tij, Jaupi ka bërë me dije se ka qenë një aksion masiv kundër klanit të Habilajve, në të cilin kanë marrë pjesë shumë reparte policore, përfshirë ato RENEA dhe Delta Forcë.
“Në një banesë në këtë fshat është konstatuar një sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Nga peshimi rezultoi 3.978 kg kanabis. Në përfundim të veprimeve proceduriale, policia ka arrestuar si posedues të drogës shtetasin Armando Koçerri, 31 vjeç, banues në Babicë. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale lëndën narkotike, si edhe një mjet lundrues gomone në pronësi të shtetasit Ferdindand Habilaj, me prokurë përdorimi nga Moisi Habilaj, një armë gjahu, si dhe një sasi fishekësh pistolete dhe automatiku. Ndërkohë, po vijojnë veprimet për sekuestrimin e pasurive me burim të dyshimtë për personat e implikuar”, ka deklaruar Jaupi.
Ndërkohë, paraditen e së enjtes prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla ka qenë në Prokurorinë e Vlorës dhe ka konfirmuar edhe ai se bëhet fjalë për bandën e Habilajve.
“Ndodhemi sot në Prokurorinë e Vlorës për shkak të situatës shqetësuese të krijuar në këtë qark, nga ngjarje që kanë qenë të vazhdueshme dhe ajo e mbrëmshme, të cilën prokuroria e kishte në hetim prej disa muajsh dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë u finalizua me rezultate konkrete. Besoj se në ditët në vijim do të kemi të dhëna më të sakta”, ka deklaruar Llalla.
Prokuroria ka ngritur edhe një task forcë për hetimin e grupit Habilaj. Aksioni për kapjen e anëtarëve të saj është në vazhdim.
Deklarata e plotë e Jaupit
Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kanë finalizuar një mega-operacion të nisur pas një hetimi të mirfilltë me metoda speciale.
Referimi është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në datë 30 prill 2017 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për grupin kriminal të njohur si “Habilaj”, pas informacioneve që kishin siguruar për aktivitetin në fushën e trafikimit të narkotikëve.
Ditën e djeshme në fshatin Babicë është organizuar ndërhyrja në terren në bashkëpunim mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Departamentit kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, Drejtorisë Vendore Vlorë, nën drejtimin e një Prokurori të Krimeve të Rënda dhe Drejtorit të Departamentit kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, me rreth 50 forca speciale ‘Delta’ dhe forca nga policia lokale.
Në një banesë në këtë fshat është konstatuar një sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike e llojit Cannabis Sattiva. Nga peshimi rezultoi 3 978 kg kanabis.
Në përfundim të veprimeve, Policia ka arrestuar si posedues të drogës shtetasin Armando Koçerri, 31 vjeç, banues në Babicë.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale lëndën narkotike si edhe një mjet lundrues gomone në pronësi të Ferdindand Habilaj, me prokurë përdorimi nga Moisi Habilaj, një armë gjahu, si dhe një sasi fishekësh pistolete dhe automatiku.
Ndërkohë po vijojnë veprimet për sekuestrimin e pasurive me burim të dyshimtë për personat e implikuar.
Në ambientet e Policisë Vlorë janë shoqëruar edhe dy shtetas të tjerë, si edhe po vazhdojnë veprimet për dokumentimin e plotë të kësaj dosje kriminale.
Hetimet po vijojnë intensivisht ne bashkepunim me organin e akuzes dhe partneret ne nivelin e nje operacioni nderkombetar per dokumentimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale dhe kryerjen e veprimeve te percaktuara qartesisht ne ligj.
Policia e Shtetit është e angazhuar për goditjen e çdo aktiviteti antiligjor me fokus të veçantë atë në fushën e narkotikeve dhe të pasurive kriminale që burojnë nga ky aktivitet.
Duke përfituar nga ky komunikim me publikun, gjej rastin që në emër të Policisë së Shtetit të ftoj çdo qytetar që ka informacion apo konstaton veprimtari antiligjore të telefonojë falas në numrat 112 ose 129, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër.
Top Channel