Himara, reagon Greqia: Po prishen pronat e minoritetit grek

19/10/2017 19:36

Ministria e Jashtme greke është shprehur e shqetësuar për vendimin e qeverisë shqiptare për prishjen e objekteve në zonën e Himarës.

Në një komunikatë për shtyp pasditen e së enjtes, Athina zyrtare akuzon Tiranën se tenton të tërheqë vëmendjen e opinionit nga skandali i drogës.

“Me shqetësim të madh ndjekim lidhjet e mundshme të arenës politike shqiptare me krimin e organzuar, siç kjo duket në arrestimin e para pak ditëve të kreut të një organizate të trafikut ndërkombëtar të drogës, i cili ‘rastësisht’ është i afërt me një ish-ministër të rëndësishëm të Qeverisë ‘Rama’”, thuhet në komunikatë.

Për Ministrinë e Jashtme greke është shqetësues fakti, që qeveria shqiptare vazhdon të marrë masa për të prishur sipas saj pronat e anëtarëve të minoritetit grek.

Ministria e Jashtme greke thotë se kjo bëhet në kuadër të politikës së qeverisë shqiptare për çrrënjosjen e pranisë historike të minoritetit grek në zonën e Himarës. Për palën greke, edhe ligji i votuar rishtas nga Parlamenti shqiptar për Minoritetet përbën një hap prapa për minoritetin më të madh të Shqipërisë, minoritetin etnik grek.

“Ndërkohë që shumë prej nesh, – thuhet në deklaratë, – e lidhin këtë vendim me tentativën e qeverisë për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik nga çështja e rëndësishme që ka lindur nga tregtia e narkotikëve. Shpresojmë të mos jetë kështu”, përfundon deklarata e Ministrisë së Jashtme greke.

Top Channel