Një katalog për “Realizmin Socialist Shqiptar”, i pari që përfshin një studim në një spektër kaq të gjerë të veprave të artit, të realizuara në periudhën 1945-1990.
Botimi i autorit Ermir Hoxha synon të hedhë dritë për të kuptuar më mirë një nga periudhat më të rëndësishme edhe në aspektin e trashëgimisë kulturore.
“Ajo që mua më ka interesuar më shumë ishte formati shqiptar i realizmit socialist si fenomen botëror dhe temat që trajtohen janë historia përmes imazheve. Pra, piktura, skulptura apo qoftë edhe imazhe të mediumeve të tjera që pasqyrohen gjerësisht në këtë katalog, ishin ato që merrnin përsipër shpesh të ilustronin se çfarë kishte ndodhur në historinë e Shqipërisë”, thotë Ermir Hoxha.
Ndërkohë, piktori dhe pedagogu Gazmend Leka shprehet: “Si pedagog i Akademisë së Arteve më vjen mirë që ky libër më në fund do të bjerë në duart e studentëve tanë, të cilët janë të rinj dhe nuk e njohin fare atë kohë. Ky është një libër i plotë, mendoj, dhe për më tepër që në këto 2 vitet e fundit kemi bërë një program studimi për historinë e artit shqiptar”.
Kulti i individit dhe imazhi i Enver Hoxhës, por edhe stereotipet ku imazhi i femrës e mashkullit ishin imponime për të gjithë artistët e kohës, janë disa nga trajtimet e katalogut prej 200 faqesh.
Top Channel