Akuzat për Saimir Tahirin, Prokuroria: Trafik droge i organizuar dhe korrupsion

19/10/2017 23:30

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur dy akuza ndaj Saimir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm; trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Për akuzën e parë, trafik droge, Kodi Penal parashikon nga 10 deri në 20 vite burgim. Për akuzën e korrupsionit nga 4 deri në 12 vite burg.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Prokuroria arsyeton edhe për dyshimet e saj të ngritura ndaj Tahirit. Në lidhje me akuzën e parë, Prokuroria ngre dyshimet se Tahiri ka qenë në dijeni të veprimtarisë kriminale të Moisi Habilajt dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të kësaj bande dhe ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të tyre.

Nisur edhe nga hetimet italiane, prokuroria dyshon se përfitime monetare kanë shkuar direkt tek ish-ministri i Brendshëm. Duke sqaruar dyshimet për akuzën e ngritur, Prokuroria ka futur në akuzë edhe përdorimin e automjetit Audi, që ish-ministri i Brendshëm ja kishte shitur Habilajve.

Sipas Prokurorisë, ky automjet i shitur në 2013-n është përdorur më pas edhe nga vetë ministri i Brendshëm, Tahiri. Akuza e ngritur për veprën penale të korrupsionit, bazohet në dyshimin se Tahiri ka përfituar nga të arrestuarit në Itali.

Top Channel