Skandali, oriz me miza dhe krimba në markete

18/10/2017 10:04

Emisioni “Fiks Fare” i është rikthyer sonte sigurisë ushqimore. Një qytetar ka denoncuar se në pakot e ambalazhuara të orizit të blera në market ka gjetur miza dhe krimba.

Lush Lushi, nga Shkodra, tregoi për emisionin investigativ se nga konsumi i këtij produkti ushqimor ka përfunduar në spital, pasi për shkak të moshës nuk kishte arritur t’i shihte mizat kur e kishte gatuar.

Këtë fakt, ai e kishte mësuar vetëm pasi i kishte dhënë një pako oriz nuses së djalit, e cila do t’i gatuante fëmijës së vogël. Kur ajo e kishte vënë për ta zierë kishte parë mizat që kishin dalë në sipërfaqe të ujit.

Pas denoncimit, gazetarët e “Fiks Fare” kontrolluan pakot e orizit të vëna në dispozicion nga qytetarët dhe gjatë kontrollit rezultoi se ato ishin të mbushura me miza. Madje, në një nga qeset u gjetën edhe krimba.

Përballë situatës alarmante, “Fiksi” iu drejtua edhe kompanisë “Hodaj”, e cila ishte përgjegjëse për ambalazhimin e këtij produkti ushqimor.

Administratori i kësaj kompanie, Aleksandër Sallata ia hodhi përgjegjësinë për këtë rast poseduesve të marketeve, duke pretenduar se e kanë ruajtur në kushte të këqija.

“Ne nuk ambalazhojmë dhe nuk tregojmë oriz me miza, por ato janë krijuar nga kushtet jo të përshtatshme të mbajtjes. Për këtë nuk ka përgjegjës, pasi ndodh që mizat të krijohen më vonë dhe kur konstatojmë raste të tilla, ne e tërheqim mallin. Pasi e dezinfektojmë, e sitim sërish dhe e riambalazhojmë”, tha Sallata.

Sipas tij, aktualisht në magazinat e kompanisë së tyre nuk ndodhet më ky ambalazhim. Kompania deklaroi se kjo ka ndodhur shumë rrallë, ndërsa kur verifikohen AKU thjesht thjesht kërkon tërheqjen e mallit dhe nuk merr asnjë masë.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA