Dy ndeshjet e radhës për Juventusin në grupet e Champions League ndaj Sporting Lisbonës janë vendimtare për kalimin e fazës.
Mbrëmjen e sotme, kampionët e Italisë do të presin skuadrën portugeze dhe një fitore ndaj tyre do të ishte një hap i rëndësishëm drejt fazës së ardhshme. Allegri duket se do të mbështetet edhe një herë tjetër te argjentinasi Dybala, i cili edhe pse nuk ka shënuar ende në Champions dhe po kalon një moment jo të mirë edhe në Serie A, është lojtari nga ku presin më shumë bardhezinjtë.
Në “Juventus Stadium”, ku do të luhet edhe sfida e mbrëmjen së sotme, Juventusi ka një ecuri mbresëlënëse në Champions me 4 fitore në po kaq ndeshje dhe një golavarazh me 8 gola të shënuar dhe vetëm një të pësuar.
Aktualisht, pas dy takimeve të para, Juventusi është në kuotën e 3 pikëve, po aq sa edhe Sporting, ndërsa Barcelona renditet e para me pikë të plota pas dy ndeshjeve.
Ndërkohë, skuadra tjetër italiane, Roma, do të udhëtojë në Londër ku do të ndeshet me kampionët e Anglisë të Chelsea-t.
Një sfidë edhe kjo delikate, por në rast të një fitoreje të Romës do t’i ngjiste ata në vendin e parë në grup duke kaluar londinezët e Conte-s. Megjithatë ky duket një objektiv mjaft i vështirë për italianët, të cilët do të ishin të kënaqur edhe me një barazim në Londër.
Roma vjen në këtë takim pas humbjes në kampionat ndaj Napolit dhe morali nuk është i duhuri. Megjithatë, e kaluara është në favorin e italianëve, pasi dy ekipet janë ndeshur në Champions në sezonin 2008-2009, në fazën e grupeve, ku në ndeshjen e parë në Londër, Chelsea fitoi 1-0 me gol të John Terry, por në takimin e kthimit në “Olimipco”, Roma mori një fitore 3-1 me gol të Christian Panucci-t dhe dy nga malazezi Mirko Vucinic.
Top Channel