Fiks Fare / Invalidët, shoqata bën biznes karrocash

18/10/2017 05:03

Shoqata e Invalidëve Para dhe Tetraplegjikë e Shqipërisë është kthyer në një biznes privat. Një ditë pas denoncimit në “Fiks Fare” të anëtarëve të saj, të cilët protestuan pasi nuk u lejuan brenda ambienteve, në zyrat e televizionit Top Channel erdhi vetë kryetari, i shpallur “në kërkim”.

Ndrek Ismaili tha se e ka mbyllur derën qëllimisht, pasi kishte marrë vesh se para saj do të shkonin disa invalidë. Ai tha se Ministria e Financave ka bërë një auditim, pasi për çdo vit merr 16 milionë lekë të vjetra dhe shkelje ishte vetëm punësimi pa kontratë i disa punonjësve.

Megjithatë, Ismaili pranoi se ka lidhur kontratë me një palë të tretë që në ambientet e shoqatës, të cilat janë shtetërore, të ekspozoheshin karroca invalidi për t’u shitur.

“Këto karroca vetëm sa ekspozoheshin në këtë godinë. Të gjithë anëtarët e shoqatës kishin skonto 20 për qind të vlerës”, tha Ismaili, duke shtuar se shoqata nuk kishte asnjë përfitim.

I pyetur nëse shoqata është organizatë fitimprurëse apo jofitimprurëse, ai tha se është jofitimprurëse. Më tej Ismaili shtoi se, personat që protestuan duan të zënë postin e tij.

Në ambientet e Top Channel u paraqit edhe zoti Ali Plaka, i cili tha se ai është kryetar i degës së shoqatës për Tiranën dhe jo zoti Bajram Tirana. Edhe Plaka tha se gjithçka bëhet për poste.

Gazetarët e “Fiks Fare” i pyetën drejtuesit e shoqatës nëse duan apo jo të bashkëpunojnë me protestuesit. Ata thanë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, pasi ata (protestuesit) i kanë denoncuar disa herë. Me ndërmjetësimin e gazetarëve, drejtuesit hapën derën e shoqatës. Koordinatorja Shpresa Spahiu u tregoi edhe ambientet, ndërsa tha se ka edhe një palestër.

Në këtë palestër kishte edhe disa pajisje për fizioterapi, por drejtuesit e shoqatës nuk e pranuan se është bërë ndonjëherë fizioterapi atje. Në fund, gazetarët e pyetën presidentin e shoqatës, Ndrek Ismaili, nëse ishte i gatshëm që të bashkohej me pjesën tjetër, por ai tha se, “këto janë punë shqiptarësh”.

Për dy ditë me radhë, gazetarët pyetën dhjetëra invalidë, por edhe drejtuesit e tyre. Ata ndaheshin te një pikë: financimet e qeverisë dhe grantet e ndërkombëtarëve. Secili donte të administronte këto para dhe, si në çdo institucion e shoqatë, “lufta” e tyre ishte pikërisht për to.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA