Viti i ri akademik, Bashkia e Tiranës prezanton guidën studentore

17/10/2017 17:31

Për të gjithë studentët e rinj që kanë nisur studimet e larta në kryeqytet, Bashkia e Tiranës ka hartuar një guidë orientimi, si një shenjë mirëseardhjeje për ta.

Kreu i bashkisë, Erjon Veliaj, gjatë prezantimit të guidës studentore, tha se për studentët e ardhur nga rrethet janë marrë të gjitha masat që akomodimi i tyre të bëhët në konvikte.

“Gjatë kësaj jave do të jemi nëpër të gjitha fakultetet, në të tre pikat e “Qytetit Studenti”, por edhe në disa qendra rinore të Tiranës për të kaluar këtë proces orientimi me studentët. Ne ju mirëpresim në Tiranë dhe jemi shumë të lumtur e të bekuar që ju kemi në qytetin tonë dhe duam që eksperienca juaj të jetë fantastike. Madje duam të jetë aq fantastike saqë asnjë prej jush të mos kthehet nga ka ardhur, por të vazhdoni të rrini në Tiranë, e pastaj do vijoj t’ju shoh kur të bëni celebrimin në Bashki, pastaj kur të merrni certifikatën e bebes, kur të merrni kredi të butë për banesë e të kalojmë një pjesë të jetës sonë së bashku”, deklaroi Veliaj.

Tjetër lehtësi për studentët, sipas Veliajt, do të jetë edhe përdorimi i kartës së studentit: “Do të fillojmë garën për kartën elektronike të autobusëve, çka do të na mundësojë të kemi edhe kartën e studentit që të mund të përdoret për transportin publik. Por, përtej transportit publik, mund të përdoret edhe për kinema, teatër, muze dhe më vjen mirë që ju do jeni gjenerata e parë e brezit të studentëve që do shijojë këto risi të Bashkisë së Tiranës”.

Veliaj sqaroi se falë politikave të ndjekura nga Bashkia e Tiranës, çmimi i qirave për studentët nuk është rritur: “Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë pse Bashkia është e detyruar të vazhdojë të japë leje ndërtimi është: Ku do banojnë gjithë këta njerëz? Çdo vit vijnë mijëra studentë. Tirana do jetë shtëpia juaj e dytë dhe për 4 vjet do jetë në fakt shtëpia juaj e parë. Falë mënyrës dhe politikave të Bashkisë edhe në çështjen e ndërtimit, kemi siguruar që sipas INSTAT dhe BSH, çmimet e qirave nuk janë rritur. Ato dy vite që u bllokuan lejet dhe nuk kishte apartamente të reja, studentët detyroheshin të paguanin tarifa më të larta sepse i binte që 10 studentë konkurronin për një apartament. Në momentin që tregu ka një ofertë që i përgjigjet kërkesës, atëherë edhe qiratë rrinë në nivele të përballueshme, që është ekzaktësisht ajo që kemi bërë në Tiranë”.
 
Kryebashkiaku bëri të ditur se studentët e ardhur nga rrethet mund të akomodohen edhe në rezidencat universitare, ndërsa theksoi se ato ofrojnë një sërë shërbimesh, sikurse janë biblioteka, fondi referativ, fondi i periodikut, sallat e leximit dhe qendra e internetit.

Top Channel