Gjykata e Durrësit vendosi “arrest me burg” me një afat 40-ditor për shtetasin Riza Sheshi, i arrestuar pak ditë më parë me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

50-vjeçari nga Shijaku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Xhenovës në Itali kishte lëshuar një urdhër-arresti ndaj tij, duke e akuzuar për veprën penale të “pjesëmarrjes në organizata kriminale me qëllim shfrytëzim prostitucioni”. Ashtu si në rastin e Durim Keçit, edhe këtë herë mbrojtja deklaroi se arrestimi i Sheshit është kryer mbi bazën e një dokumentacioni të parregullt dhe kërkoi ndryshim të masës së sigurisë ndaj tij.

Por, gjyqtarja, pasi dëgjoi palët, vendosi ta lërë atë në burg për një afat 40-ditor, që do të shërbejë dhe për plotësimin e dokumentacionit mbi bazën e të cilit do të vendoset dhe për fatin e mëtejshëm të procesit të ekstradimit të tij drejt Italisë.
 
Gjatë ditës së sotme, Policia e Durrësit ndaloi dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, konkretisht Arben Plaku (51 vjeç) dhe Resmije Rrahmani (57 vjeç),  motër e vëlla. Gjykata e Xhenovës kishte nxjerrë për Arben Plakun urdhër-arresti për veprat penale “Pjesëmarrje në organizata kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni”, “Vjedhje me dhunë” dhe “Kontrabandë të personave”, ndërsa Resmije Rrahmani ishte dënuar me 3 vjet burg për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni në bashkëpunim”.

Ata janë shpallur në kërkim nga Interpol Roma në mars të vitit 2015.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA