Presidenti serb Aleksandar Vuçiç pretendon se Brukseli i ka bërë presion që të pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në një intervistë për gazetën serbe “Novosti”, ai është ndalur edhe në dialogun me Prishtinën, teksa ka ritheksuar faktin se, çdo ndryshim në formatin e bisedimeve do të kërkojë pëlqimin e Serbisë.

Kreu i shtetit serb shprehet se, presionet më të hapura për çështjen e Kosovës, Beogradi i ka marrë nga Bashkimi Europian.

“Trysninë më të madhe e kam pasur nga Brukseli”, është komenti i Vuçiç.

“M’u kërkua të pranoj anëtarësimin e Kosovës në OKB  dhe që policia rajonale të përputhet me numrin e banorëve në 7 komunat në veri, që do të thotë 68% shqiptare dhe 32% serbe. Unë nuk u pajtova me të tilla kushte komuniste dhe propozova që forca policore rajonale në veri të Kosovës të jetë 90% serbe. Ata nuk e pranuan dhe aty filluan presionet”, tha më tej Vuçiç.

Presidenti serb iu rikthye edhe njëherë trenit që shkaktoi tensione mes dy vendeve, më herët gjatë vitit, për të cilin konsideron se u përdor si justifikim për të dërguar policinë dhe forcat speciale në veri.

Top Channel