Ndërtimi në Butrint, Kumbaro: Nuk ndërtohet asgjë. Është objekt ekzistues

16/10/2017 06:59

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro thotë për Top Story se në Parkun Kombëtar të Butrintit nuk po kryhet një ndërtim i ri.

Objekti me permasa 50-60 m2 është ekzistues që prej vitit 1975 dhe për shumë vite është përdorur si depo. Për shkak se numri i turisteve në këtë sit arkeologjik është gjithnjë e më shumë në rritje, lind nevoja për përmirësimin e shërbimeve dhe ofrimin e një pike shërbimi për lëngje freskuese, apo suvenire.

Në të gjithë botën, thotë Kumbaro, ky shërbim bëhet me “outsourcing”, nuk ka ministria kuzhinierë apo kafetierë që ta ofrojë këtë shërbim.

TCH: Po ndërtohet me beton?

Ministrja Kumbaro: Nuk ndërtohet asgjë. Bëhet fjalë për një objekt ekzistue. Le të themi një gati-kasolle me përmasa shumë të vogla diku tek 50-60 metra/katrorë, ekzistente që në vitin 1975 dhe përdorur, të paktën në dekadën e fundit si një depo, për gjithëfarëgjërash që rrinte aty pa asnjëlloj shfrytëzimi. Ajo ndodhet në një nga pikat interesante ku pasi vizitori ka bërë rreth 1 orë e 40 minuta itinerar shëtitës dhe është vbetëm rehabilitimi i kësaj godine për të mos e lënë bosh, por ta kthejmë  në këtë pikë shërbimi për nevojat e turistëve, duke patur parasysh numrin e madh të tyre, që janë rreth 156 mijë vizitorë deri më tani për 2017.

TCH: Pse i duhej dhënë privatit ky projekt?

Ministrja Kumbaro: Ministria e Kulturës nuk ka në kompetencë të saj as të bëjë restorante, as kafe dhe ne nuk kemi as kamarierë dhe as kuzhinierë. Ne në park kemi restauratorë, mirëmbajtës, arkeologë. Në të gjitha vendet kjo bëhet me burime t ëjashtme, sikurse bëhet me muzetë apo parqet arkeologjike, sikurse është investim i subjektit që do të bëjë menaxhimin dhe do të paguajë edhe qiranë për periudhën e kontratës dhe më pas i ngelet parkut si një pikë shërbimi dhe më pas vendoset më tej se çfarë do të bëhet. ajo që biem dakord të gjithë është që ka nevojë për një shërbim të tillë për një zonë aq të madhe dhe për të mos e lënë në dorë të shitësve ambulantë të pakontrolluar dhe të pafromalizuar dhe sidomos duhet që të kontrollohet. Kjo është pjesë e paketës për Butrintin, pas tualeteve dhe biletarisë elektronike.

TCH: A është ezauruar 100 për qind siti nga ana e gërmimeve arkeologjike?

Ministrja Kumbaro: Nuk ka ndërtim, bëhet fjalë për rehabilitim të objektit ekzistues që i shtohet një platformë në sipërfaqje me dërrasë dhe me një sipërfaqje të vogël për të mbajtur strukturat e trarëve prej druri dhe xhami me një rrjetë teli me beton të varfëruar. Është e gjitha material i lëvizshëm në çdo moment. Nuk preket nëntoka dhe në çdo momenti që duhet të hiqet, ajo hiqet. Nuk dëmtohet asgjë. I gjithë projekti është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit dhe i Arkeologjisë. Është vazhdimisht në mbikëqyrje dhe është supervizori i Ministrisë së Kulturës dhe janë gjithashtu edhe arkeologët këtu.

Top Channel