Gjermania: Greqia nuk mbron kufirin. Mban hapur korridorin ballkanik

16/10/2017 07:13

Greqia nuk po mbron më kufijtë e saj në veri, si dhe kufijtë me Bullgarinë, e lejon emigrantët që të shkojnë drejt Gjermanisë nëpërmjet rrugës së ashtuquajtur “korridori ballkanik”.

Lajmin e publikon gazeta gjermane e së dielës “Welt Am Sonntag”, e cila akuzon qeverinë greke se po jep të dhëna të rreme për sa i përket numrit të refugjatëve që ajo po mban në këtë moment, në mënyrë që ky largim i madh ilegal të mos bjerë në sy.

Në bazë të burimeve të shërbimeve sekrete të Gjermanisë dhe qarqeve diplomatike, gazeta shkruan se Athina deklaron se po mban 62 mijë refugjatë, ndërkohë që ky numër është vetëm 40 mijë, e ndoshta edhe më pak.

Megjithëse këto muaj, nga Turqia kanë hyrë në ishujt grekë të Egjeut mbi 20 mijë emigrantë e refugjatë të rinj, numri i atyre që deklarohen në kampet e vendit mbeti i pandryshuar, pra ka një rrjedhë të re nëpërmjet kufijve veriorë të Greqisë.

Hulumtimi përkatës që ka bërë gazeta gjermane nisi kur statistikat në vend tregonin se, mbi 15 mijë të huaj hynin në Gjermani çdo muaj, kryesisht nëpërmjet këtij korridori.

Edhe ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière ka deklaruar se organet e rendit të këtyre shteteve, që ndodhen përgjatë kësaj rruge, vërtetojnë ekzistencën e një rrjedhe migratore nga Greqia drejt Gjermanisë.

Shpeshherë gjatë këtyre muajve, edhe në Shqipëri janë kapur grupe refugjatësh në përpjekje për të kaluar drejt Europës, ndërsa shumë organizatorë të trafikimeve ndodhen në ndjekje penale nga organet shqiptare.

“Korridori ballkanik – jep alarmin “Die Welt”, – po funksionon përsëri, kryesisht nëpërmjet ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Bullgarisë, ndërsa shumica e emigrantëve që marrin këtë rrugë janë nga Afganistani, Pakistani dhe Iraku”.

Top Channel