Azilkërkuesit e vegjël, policia kufitare: Është rritur numri

16/10/2017 02:06

Përpjekjet për kalim të paligjshëm kufiri janë shtuar. Sipas Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Durrës, në rritje është numri i të miturve që synojnë të kalojnë ilegalisht në vendet e  BE-së.

“Në rastet më të shumta kanë qenë të mitur që tentojnë në mënyrë ilegale të kalojnë pikat e kalimit kufitar. Tashmë dihet që kontrollit të të miturve i kushtohet një rëndësi e vecantë. Po ushtrojmë një kontroll rigoroz e të shtuar për problematikat e ngritura nga vendet e Schengenit”, ka deklaruar Lindita Nushi, drejtoreshë e DRKM Durrës.

“Nga viti 2014, shtetet anëtare të BE-së janë përballur me një rritje të numrit të kërkesave për azil nga shqiptarët, që mendohet se janë emigrantë ekonomikë e jo individë që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Autoritetet holandeze dhe belge po marrin në konsideratë masa specifike për të dekurajuar fluksin e emigrantëve të rinj nga Shqipëria”.

Të prekura nga numri i lartë i azilkërkuesve të parregullt nga Shqipëria, Holanda dhe Belgjika kanë nisur përmes Organizatës Botërore të Migracionit një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi qytetar, “Zgjidhni mundësitë dhe jo migracionin e parregullt”, për të frenuar fluksin.

Top Channel