Në orën 7 të mëngjesit, në Maqedoni janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet lokale, të pritura po me aq interes sa edhe ato të përgjithshme.

Mbi një milion e 800 mijë personat me të drejtë vote do të kenë mundësi të votojnë deri në orën 19:00. 80 janë komunat në garën e konsideruar tejet të vështirë në pjesën më të madhe të tyre, aq sa mendohet se vetëm pak prej emrave fitues do të arrijnë të përvijohen qartë që në raundin e parë.

Raundi i dytë është përcaktuar të mbahet më 29 tetor. Votuesit shqiptarë kanë qenë këtë herë në mënyrë të veçantë në vëmendjen e partive politike gjatë fushatës. Në komunat e banuara prej tyre u premtua fort përmirësimi i infrastrukturës rrugore, rrjeteve të ujësjellës-kanalizimeve dhe kushteve të mjedisit.

Heshtja zgjedhore është respektuar plotësisht e nuk ka pasur ndonjë raportim për shkeljen e saj nga forcat e ndryshme politike. Gjithsej janë 260 kandidatë për kryetarë komunash dhe shumë më tepër të tjerë për anëtarë të këshillave komunalë.

Procesi pritet me interes edhe nga vëzhguesit vendas e të huaj. Mbi 5.000 përfaqësues të organizatave joqeveritare vendase do ta ndjekin nga afër procesin, bashkë me 373 moniturues të ODIHR-it.

Numri i votuesve të regjistruar vazhdon të mbetet subjekt debati. “Maqedonia nuk e ka bërë censusin e popullatës që nga vitit 2002 – thotë VOA, – kur numëronte dy milionë banorë, ndërsa emigracioni është një fenomen në rritje.

Fushata ka qenë përgjithësisht e qetë, por nuk ka munguar sidoqoftë retorika e ashpër e shpeshherë fyese. Si drejtuesit e partive, ashtu edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë bërë thirrje për një proces demokratik, në një kohë kur edhe komuniteti ndërkombëtar ka lënë të kuptohet se mbarëvajtja e procesit do të ndikojë në avancimin e Maqedonisë drejt integrimit në strukturat euroatlantike.

Top Channel