Partizani iu largua zonës së ftohtë të rënies duke ngjitur hierarkitë në Kategorinë Superiore, pas fitores 2-0 ndaj Luftëtarit.
“Demat e Kuq” prishën ekuilibrat pas thuajse gjysmë ore lojë me një prekje të lehtë të Sykajt brenda zonës, por goli më i bukur erdhi nga Lorenc Trashi me kokë pas një aksioni model.
Largohet kështu gijotina në pankinën e Mark Iulianos ndërsa kryeqytetasit e shohin veten në vendin e 5.
Kukësi rivendosi shpejt distancën prej 3 pikësh me Skënderbeun kryesues duke mos i lënë mundësinë korcarëve të thellojnë arratinë në kategorinë Superiore. Kampionët në fuqi të impenjuar në një transfertë të vështirë në Durrës, triumfuan 4-2 ndaj Teutës në një sfidë emocionuese.
Elis Bakaj i dha epërsinë verilindorëve ndërsa Etemi dhe Alijev krijuan një avantazh komod në portën e Teutës. Formacioni bregdetar u zgjua disi vonë nga letargjia dhe arriti të rihapte sfidën me rrjetat e Hilës dhe të Nijas Lenës por zëvendësuesi Aljev firmosi golin e dytë personal në portën e boshatisur të vendasve, cka zhduku cdo dyshim për fitoren e Kukësit.
Kamza vazhdon të konfirmojë nga java në javë se nuk do të rikthehet mes inferiorëve, dhe këtë e tregoi edhe me fitoren 1-0 ndaj Vllaznisë. Sfida u vendos nga një veprim individual i Ymerit, por tregoi se formacioni i Ndreut mbetet fortesë në stadiumin e tij.
Laci dhe Flamurtari barazuan 1-1 në 90 minutëshin e zhvilluar në Krujë, një ndeshje që i mban vlonjatët mbi skuadrën kurbinase, por tregon limitet e bregdetarëve. Bushic i dha epërsinë kuqezinjve para se penalltia e rexhinaldos të fiksonte barazimin e tretë radhazi të Flamurtarit.
Top Channel