Mat, promovim turizmit malor në Macukull

15/10/2017 14:59

Në kuadër të promovimit të turizmit malor dhe aventurës, Bashkia e Matit, në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit Rajonal organizuan një aktivitet promovues për Macukullin, si një atraksion i rëndësishëm turistik.

Aktiviteti u mbajt në qendër të fshatit, ku mes të tjerash pati panair të prodhimeve e gatimeve të zonës.

Kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani foli për vlerat e jashtëzakonshme të kësaj zone, e cila ka nevojë për ndërhyrje në infrastrukturë.

“Duhet një përkujdesje më e madhe e pushtetit vendor dhe atij qendror për përmirësimin e infrastrukturës, për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për krijimin e kushteve për promovimin e turizmit në Macukull”, tha kryebashkiaku i Matit, Nezir Rizvani.

Përfaqësuesi i Agjencisë së Zhvillimit Rajonal, Denis Lushi tha se këtë lloj aktiviteti, banorët e zonës nuk duhet ta shohin thjesht si pjesëmarrje, por si një mundësi të mirë për të promovuar produktet e tyre.

“Duhet të kihet parasysh nga komuniteti lokal i zonës që çdo gjë bëhet për ju. Edhe ju vetë duhet të ndërmerrni disa nisma në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe qeverinë qendrore, që mirëqenia në komunitetet tuaja të rritet”, tha Denis Lusha, përfaqësues i AZHR 2.

Të pranishmit morën pjesë në panair, duke parë e shijuar produktet e ekspozuara të zonës. Festa në Macukull u shoqërua me shfaqje artistike, nga Qendra Kulturore e Matit dhe lojëra tradicionale për fëmijë.

Macukulli është një ndër zonat më atrakive për zhvillimin e turizmit malor. Kullat karakteristike të këtij fshati janë një objekt i veçantë për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.

Top Channel