Inspektimet në Vlorë nga qeveria “Rama”

15/10/2017 15:11

Gjatë qëndirmit në Vlorë, kryeministri Edi Rama, por edhe ministra të kabinetit të tij kanë zhvilluar disa takime dhe inspektime në këtë qark. Fillimisht, Rama është ndalur në Kaninë, qendra e së cilës u shpall zonë e mbrojtur.

“Këtu duhet të bëjmë sheshin kryesor. E shpallëm zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore. Duhet ta fillojmë nga këtu të rikthejmë në jetë ish-Qendrën e Kulturës, të bëjmë një sallë konferencash, që të jetë edhe në funksion të Vlorës”, tha kryeministri Rama.

Më pas, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, inspektuan Nënstacionin elektrik të Orikumit, i cili pritet të zgjidhë problemin në të gjithë bregdetin e jugut.

“Gjithë drama e rëndë e shumë viteve të bregdetit Jon – tha Rama gjatë inspektimit të punimeve, – me këtë zgjidhet përfundimisht, sepse ky është segmenti i fundit i boshllëkut që ishte krijuar që nga elektrifikimi dhe që ka torturuar dynjanë këtu, plus që e bënte sezonin turistik një torturë më vete”.

Një tjetër ndalesë ishte Parku Arkeologjik i Orikumit, ku këtë herë, Rama ishte i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbari. Ky destinacion është shndërruar në shumë të preferuar nga turistët, e së fundmi është në proces rikualifikimi, në mënyrë që të bëhet sa më i qasshëm për të gjithë turistët.

Ndërkohë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një bashkëbisedim me maturantë të shkollës “Halim Xhelo”, në qytetin e Vlorës. Perspektiva e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, mundësitë e studimit jashtë dhe rritja e standardeve brenda vendit, ishin disa nga temat që u prekën gjatë këtij bashkëbisedimi.

Top Channel