Zgjedhje në Austri, testi i fundit për populistët

14/10/2017 23:11

Austria voton të dielën në zgjedhjet e përgjithshme, në të fundit test të mbështetjes për politikat populiste të krahut të djathtë në Europë.

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se partia popullore e Sebastian Kurz, ministrit të Jashtëm 31-vjeçar, do të marrë numrin më të madh të votave të dielën, çka do t’i jepte Kurz shansin e parë për të krijuar një qeveri dhe për tu bërë kancelar.

Partia popullore e qendrës së djathtë, ka qenë në qeveri prej 30 vitesh, në pjesën më të madhe përmes koalicioneve të mëdha me social demokratët e qendrës së majtë.

Pavarësisht kësaj, që kur mori lidershipin e partisë në maj, Kurz ka kryer një fushatë energjike, të personalizuar, duke e portretizuar veten si kandidati që do të shkundë sistemin e lodhur politik.

Ai po ashtu ka vjedhur mbështetje edhe nga partia e lirisë, e krahut të djathtë, duke premtuar se do të godasë emigracionin e paligjshëm. Sidoqoftë surpriza mund të ketë. Edhe nëse Kurz fiton më shumë vota, vëzhguesit në Vjenë thonë se partia populiste liria, mund të preferojë një aleancë me social demokratët, marrëdhënia e të cilëve me Kurz nuk është e mirë pasi ata e portretizojnë veten si partia e punëtorëve të thjeshtë.

Sondazhet mund edhe të gabojnë dhe partia liria apo social demokratët, që tani mbajnë vendin e dytë, mund të fitojnë më shumë vota nga sa pritet. Sidoqoftë, deri më tani, suksesi më i madh i partisë liria ka qenë në 1999 kur mori 27 për qind të votave dhe 52 vende në dhomën e ulët të parlamentit austriak. Rezultati, e bëri atë partinë më të suksesshme të ekstremit të djathtë në Europë.

Austria është një vend i vogël i BE me një popullatë prej vetëm 9 milionësh, por është mes më të suksesshmëve ekonomikisht dhe mban një pozicion strategjik në mesin e Europës lindore dhe asaj perëndimore, shpesh ajo ka qenë edhe një parashikuese e trendeve politike. Europa po i ndjek me shumë vëmendje këto zgjedhje. Rezultati do të bëhet i ditur mbrëmjen e të dielës por sidoqoftë, negociatat për koalicione do të marrin javë të tëra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA