Rama: Ndëshkim policëve që mbyllin sytë ndaj krimeve të mjedisit

14/10/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama përshëndeti reagimin e Ministrisë së Brendshme me masat ndëshkuese të marra ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës për ndërtimin e paligjshëm në Grykën e Këlcyrës.

“Përshëndes Policinë e Shtetit për reagimin e bërë për krimin e papranueshëm në Luginën e Vjosës dhe të nënvizoj se çdo krim mjedisor që zbulohet nga media dhe qytetarët dhe nuk është parë akoma nga policia e shtetit është një mbyllje sysh e papranueshme për të cilën praktika e nisur dje duhet të kthehet në normë”, deklaroi Rama.

Në takimin me drejtuesit e administratës në Qarkun e Vlorës, Rama paralajmëroi se praktika e ndjekur për rastin e ndërtimit në Vjosë do të kthehet në normë për të gjitha shkeljet e mundshme në të ardhmen.

“Mbyllja e syve duhet ndëshkuar me ndjekje penale për ata drejtues të Policisë së Shtetit, për ata shefa komisariatesh që dredhin zinxhirë dhe pijnë raki, ndërkohë që pas shpinës së tyre të kthyer me qëllim zhvillohen krime të tilla”, u shpreh ai.

Top Channel