Zgjedhjet lokale të së dielës konsiderohen si testi më i rëndësishëm për proceset demokratike në Maqedoni, pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar dhe formimit të Qeverisë së re katër muaj më vonë, me çka u mbyll kriza e gjatë politike në vend.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë qenë të qartë në thirrjet e tyre. Ambasada amerikane në Shkup theksoi rëndësinë e zgjedhjeve për të ardhmen europiane të vendit dhe i bëri thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e votës.

Edhe Bashkimi Europian përmes ambasadorit Samuel Zhbogar u kërkoi liderëve politike dhe anëtarëve të partive të mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të qeta, pa dhunë e frikësim.

Nikolla Dujoski, profesor i sistemit politik në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup tha se Maqedonisë si kurrë më parë i duhet të mbajë zgjedhje të pacënuara, që do të dëshmonin qartazi se vendi është i gatshëm për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Parregullsitë sipas tij as që duhet të mendohen, e jo më të ndodhin. Zgjedhjet lokale më 15 tetor do të zhvillohen në 80 komuna dhe Shkup, si njësi e veçantë e pushtetit lokal me dhjetë komuna brenda tij, por me kompetenca të kufizuara.

Në garë për drejtimin e këtyre komunave janë 19 parti politike dhe koalicione të ndryshme përfshirë edhe kandidatët e pavarur.Gara kryesore zhvillohet ndërmjet dy blloqeve politike, dy partive maqedonase, LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së opozitare nga njëra anë, dhe bllokut tjetër shqiptar, BDI-së dhe partive tjera si Lëvizjes Besa, PDSH-së por edhe Aleancës për Shqiptarët, e cila edhe pse është në qeveri synon të sfidojë në këto zgjedhje partnerin e saj qeverisës, BDI-në.

Top Channel