Pas një vëzhgimi prej tetë muajsh, policia britanike ka ndërmarrë një aksion të madh kundër fermave të kultivimit artificial të kanabisit dhe lavazheve që kontrolloheshin nga grupe kriminale shqiptare në Gloucestershire, në Anglinë Perëndimore, në kufi me Uellsin.
Sipas BBC, dhjetë shqiptarë janë arrestuar në këtë operacion, ku janë asgjësuar bimë kanabisi me një vlerë në treg që shkonte mbi 750 mijë stërlina.
50 policë dhe dhjetra makina policie kanë bastisur gjashtë ferma ku kultivohej artificialisht kanabisi, si dhe pesë lavazhe makinash që besohet se operoheshin nga shqiptarët.
Ky operacion i koduar “Cleveland”, në kuadër të luftës kundër skllavërisë moderne dhe kultivimit të kanabisit, çoi në arrestimin e dhjetë personave të deklaruar me origjinë nga Shqipëria, shumica me dokumente false italiane të moshës nga 20 deri në 33 vjeç, mes tyre edhe një vajzë 17-vjeçare.
Një nga fermat ku kultivohej kanabisi ishte përballë një shkolle fillore. Kultivimi i kanabisit nëpër ferma, ose ambiente private të marra me qira dhe të konvertura përmes instalimit të sistemeve të sofistikuara të kultivimit të lëndës narkotike, ku grupet kriminale shqiptare punësojnë shqiptarë pa dokumente të mbërritur muajt apo vitet e fundit e që jetojnë e punojnë në të zezë përkundrejt shpërblimeve dhe pagave jo të vogla.
Top Channel