Shkumbini-Tirana, Ze Maria: Na pret një sfidë e vështirë

13/10/2017 00:00

Tirana do të luajë ndeshjen e radhës në Kategorinë e Parë, në Peqin ndaj Shkumbinit.

Trajneri i bardhebluve, Ze Maria e ka vlerësuar në maksimum kundërshtarin e tij, e theksoi se futbollistët e tij duhet të sillen ashtu siç kanë bërë në këto 3 javë të para.

“Shkumbini është në vendin e dytë në kampionat, me 3 pikë më pak sesa ne. Është një skuadër që ka fituar dy nga 3 ndeshjet e luajtura. Kështu që na pret një ndeshje e vështirë, që për më tepër do ta luajmë pikërisht në fushën e kundërshtarëve tanë. Çdo skuadër dëshiron të na mundë, e ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Ajo me Shkumbinin nuk do të jetë një formalitet dhe ne do ta përballojmë me mentalitetin që kemi treguar deri tani”, tha Ze Maria.

Ze Maria ka theksuar se Tirana ende nuk është në formën e saj maksimale, ndaj dhe asaj i duhet punë e kohë për të arritur objektivat e saj.

“Përpara 4 muajsh vura në dukje objektivat e Tiranës, njërin prej të cilëve e arritëm, fituam Superkupën. Jemi mirë në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë kaluam në raundin tjetër. Skuadra po përmirësohet, por ende nuk është në maksimumin e saj. Ne kemi nevojë për kohë dhe duhet të punojmë fort për të arritur tek objektivi final, ngjitja në Kategorinë Superiore, e pse jo të fitojmë edhe Kupën”, tha Ze Maria.

Top Channel