
E shtuna e futbollit anglez do të rikthejë në vëmendjen e tifozëve një rivalitet historik, që kalon kufijtë e ishullit.
Liverpool do të presë Manchester United në një orar dreke në “Anfield Road”, por tifozët do ta shuajnë urinë me një përplasje emblematike, që nuk mund të parashikohet. 20 tituj kanë “djajtë e kuq” dhe 18 padronët e shtëpisë, e diferenca reflektohet edhe në renditje.
Formacioni i trajnerit Mourinho kryeson me vetëm një gol më shumë sesa Manchester City, ndërsa Liverpool është i distancuar me 7 pikë, me vetëdijen se nuk mund të gabojë, nëse do titullin në muajin maj.
Përballë janë “Normal One” dhe “Special One”, i pari gjerman dhe tjetri portugez. Ky i fundit është një specialist i “parkimit të autobusit” para portës, kur duhet të shpëtojë nderin, por gjithashtu arkitekt i trofeve, ashtu siç ka bërë te Porto, Inter, Real dhe Chelsea.
Në kampin tjetër, gjermani Jurgen Klopp ka arritur të argëtojë me futbollin e tij në Angli dhe në Europë, por skuadra pëson shumë gola dhe ka një mesatare fitoresh më të ulët madje edhe sesa paraardhësit Rodgers dhe Benitez.
Në fushë, të shtunën do të mungojnë Manè dhe Fellaini, por lista e dëmtimeve nuk ndalet me kaq, të paktën për miqtë, që pasi të përfundojnë detyrën e tyre në “Anfield Road” do të kthejnë vëmendjen në “Etihad Stadium”, atje ku “Citizens” do të presin Crystal Palace.
Top Channel