Pakti bërthamor me Iranin, pritet tërheqja e SHBA

13/10/2017 00:00

Donald Trump pritet të tërhiqet gjatë ditës nga mbështetja e marrëveshjes bërthamore me Iranin, e të parashtrojë një strategji më kundërvënëse.

Me këtë lëvizje, Uashingtoni nuk largohet tërësisht nga pakti, por i jep Kongresit 60 ditë kohë për të vendosur nëse do t’i rivendosë apo jo sanksione Republikës Islamike.

Serioziteti i çështjes e ka detyruar Sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson, të konsultohet me homologët e tij në Europë dhe Kinë.

Presidenti amerikan ka qenë nën një presion të madh, si në shtëpi, ashtu edhe jashtë kufijve, për të mos rrëzuar ujdinë e arritur me shumë mund në vitin 2015, kur Irani pranoi ngrirjen e programit të tij bërthamor në këmbim të ngritjes së pjesshme të sanksioneve që kishin gjunjëzuar ekonominë e tij.

Por Trump është shfaqur prej kohësh si kritik i ashpër i marrëveshjes, e gjatë fushatës u zotua se, me të marrë çelësat e Zyrës Ovale do të rishqyrtonte me kujdes situatën.

Pakti atomik, i vulosur pas 10 vitesh negociimi të mundimshëm, është përshkruar shpesh si nga sukseset e pakta diplomatike që e bëri botën më të sigurtë. Por për Trumpin, ajo “ishte marrëveshja më e keqe e të gjitha kohërave”.

Sanksionet tani ia delegon “Capitol Hill”, ndërsa pakti qëndron në buzë të greminës. Kreu i Shtëpisë së Bardhë është i detyruar të certifikojë para Kongresit amerikan, çdo 90 ditë, se Irani e zbaton marrëveshjen plotësisht dhe se ajo i shërben sigurisë së Shteteve të Bashkuara.

Nëse ai nuk e bën një gjë të tillë, Kongresi ka 60 ditë kohë për të rivendosur sanksionet ndaj regjimit të ajatollahëve. Sidoqoftë, ekspertët mendojnë se mes ligjvënësve amerikanë ka ndryshuar qëndrimi tepër kritik ndaj paktit, sepse ndalimi i pasurimit të uraniumit në tokën iraniane po shihet si progres në këtë konflikt.

Top Channel