Maratona, Veliaj: Gati të mirëpresim 2500 pjesëmarrësit

13/10/2017 00:00

Vetëm dy ditë nga Maratona e Tiranës dhe kreu i bashkisë Erion Veliaj thotë se kryeqyteti është gati të mirëpresë 2500 vrapuesit e regjistruar për këtë event.

Ata vijnë nga 40 vende të ndryshme të botës, dhe në një takim me organizatorët Veliaj tha se ky event do ti japë një impuls pozitiv edhe ekonomisë së qytetit.

“Është hera e parë që Maratona është e certifikuar zyrtarisht, ndërkombëtarisht. Kjo do të thotë që edhe do monitorohemi në këtë aspekt, megjithatë besoj që do jetë një festë e  madhe për të gjithë Tiranën dhe ky grup ka në dorë cilësinë e kësaj feste dhe mbarëvajtjes së punëve. Ne presim si vrapues profesionistë rreth 2500 atletë nga 40 vende të ndryshme të botës, duke filluar nga Azia e largët, Afrika, Amerika Latine, SHBA e Europa, pra është edhe një mundësi fantastike për të prezantuar si një kartolinë qytetin e Tiranës. Ne jemi në një situatë sot ku çdo shtrat hoteli është i rezervuar në Tiranë. Në këtë sens është diçka e mirë edhe për ekonominë e qytetit. Dua t’u bëj thirrje të gjithë restoranteve, bareve e lokaleve që të jenë mikpritës e të prezantohemi sa më mire”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë theksoi se në ndryshim nga viti i mëparshëm, itinerari i Maratonës së këtij viti është fokusuar tek qyteti. Itinerari i ri do të përshkruajë pikat më atraktive të qytetit duke e kthyer këtë garë jo vetëm sfidë, por edhe argëtim. “Kësaj here ne kemi një itinerar ndryshe të maratonës. Nëse herën e parë kishim një sistem linear në autostradën Tiranë-Durrës, tani kemi atë që quhet “City marathone”, pra një maratonë e fokusuar tek qyteti. Kjo do të thotë që do të jetë aksi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, “Zogu i Parë” I gjithë rrethrrotullimi i Unazës së Vogël me një hyrje në Bllok në rrugën “Ibrahim Rugova”, pastaj pranë Gardës për t’u rikthyer sërish tek sheshi  “Nënë Tereza”, që janë fillimi dhe fundi i maratonës. Për vrapuesit profesionistë do përdoret edhe aksi i rrugës së Kavajës deri tek Kisha Ortodokse, sepse gara është kalkuluar që të ketë 3 xhiro nga 7 për profesionistët dhe 2 xhiro nga 5 për të tjerët”, deklaroi ai.

Për ta kthyer këtë garë sportive në një ditë feste, Bashkia e Tiranës fton gjithë qytetarët e Tiranës që nuk garojnë, të dalin në datë 15 Tetor dhe të mbështesin sportistët pjesëmarrës. “

Top Channel