
Jupp Heynckes do ta nisë aventurën e tij të katërt te Bayern Munchen me një ndeshje që cilësohet e lehtë, të paktën në letër. Por 90-minutëshi ndaj Freiburgut do të jetë një test për ambiciet e teknikut veteran, i thirrur me emergjencë pasi rezultati konsiderohet një detyrë, e veç tij edhe spektakli e golat.
Në stërvitjen e Bayernit duket sikur është rikthyer entuziazmi, e senatorët e dinë që nuk do të tolerohet më asnjë që mund të quhej i paprekshëm. 72-vjeçari Heynckes mori vendin e Carlo Ancelottit, që u shkarkua për rezultateve negative, por u përfol gjithashtu se nuk i zhduku dot klanet kundër.
Bavarezët ndodhen 5 pikë më pak në renditje në krahasim me Borussia Dortmund dhe Heynckes ka premtuar se do ta shkundë ekipin siç duhet.
“Të gjithë më thonë që shpirti i skuadrës është fantastik dhe futbollistët po argëtohen sërish”, tha trajneri i Bayernit në një konferencë në Mynih. Mesfushori kilian, Vidal nuk do t’i përgjigjet thirrjes së trajnerit, për shkak të dhimbjes së muskujve.
“Arturo kreu stërvitjen me ngarkesë jo të vogël dhe rezultatet ishin pozitive. Por unë jam një trajner që nuk më pëlqejnë rreziqet, e për më tepër kur bëhet fjalë për një futbollist të rëndësishëm”, tha Heynckes. Bayern ka përpara një muaj ferri, me ndeshjet në Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe Champions League, në një tetor që mund të vendosë të gjithë sezonin.
Top Channel