
Atletico Madrid pret këtë të shtunë Barcelonën në Wanda Metropolitano me skuadrën e Simeones që kërkon të thyejë një tabu, fitoren ndaj katalanasve, në La Liga, gjë i mungon prej kohësh madrilenëve.
Herën e fundit që Atletico Madrid i mori 3 pikët Barcelonës ka qenë në sezonin 2009-2010 kur e mundën 2-0 me gola të Forlan e Simaos.
Pas 7 vitesh, 7 muajsh e 28 ditësh, Atletico nuk ka mundur më të thyejë katalanasit. në total gjatë kësaj periudhe Los Colchoneros e Barcelona kanë luajtur 14 ndeshje, me bilancin 11 fitore e 3 barazime në favor të blaugranave. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Atleticos që të qëndrojë kaq shumë kohë pa fitore ndaj klubit që aktualisht ka statusin e nënkampionit të Spanjës.
Megjithatë pavarësisht asaj që flasin shifrat, rivaliteti mes Atleticos dhe Barcelonës ka qenë shumë i madh. Për t;u kujtuar është data 17 maj e vitit 2014 kur Barcelona dhe Atletico luajtën në Camp Nou ndeshjen që vendosi titullin në Spanjë.
Rezultati përfundimtar i kësaj ndeshjeje ishte 1-1, por titulli shkoi pikërisht tek skuadra e Simeones. Gjithsesi, Atletico dhe Simeone mund të ngushëllohen me faktin që kanë mundur të eliminojnë Barcelonën nga Liga e Kampioneve në dy raste në sezonin 2013-2014 dhe 2015-2016.
Top Channel