“Adios” Argjentina, Mascherano lë kombëtaren në 2018-ën

13/10/2017 00:00

Botërori i Rusisë do të jetë ngjarja e fundit futbollistike e Javier Mascheranos me përfaqësuesen argjentinase.

Është vetë 33 vjeçari që konfirmoi lajmin këtë të enjte për televizionin TyC Sports.

“Cikli im me përfaqësuesen argjentinase mbyllet në Rusi-u shpreh Mascherano-tashmë nuk kam më objektiva për të arritur. Fakti që do të luaj edhe një Kupe Bote duke pasur shanset për arritjen e një tjetër finaleje është ndër të paktat gjëra që më kanë mbetur.”

Por jo vetëm kaq, Mascherano në intervistën e tij la të nënkuptohet se mund të largohet edhe nga Barcelona, ndoshta në fund të këtij sezoni.

“Kam ende një kontratë për të respektuar me klubin, por është e qartë se në përfundim të sezonit do të mendoj se çfarë do të bëj – vijoi Mascherano – gjithsesi ende nuk kam folur me askënd për këtë çështje. Te Barcelona të gjithë kanë treguar se janë të kënaqur me mua, por do të kem kohë të mendohem për këtë.”

Top Channel