Spanja feston Ditën Kombëtare mes krizës politike

12/10/2017 08:20

Spanja përgatitet të kremtojë Ditën e saj Kombëtare në mesin e krizës së thellë politike të shkaktuar nga refendumi i Katalonjës për pavarësi.

“Show” publik i unitetit vjen një ditë pasi kryeministri Mariano Rajoy i tha Parlamentit se vendi përballet me kërcënimin më të rëndë ndaj demokracisë së tij 40-vjeçare dhe i dha 5 ditë kohë liderit katalanas Carles Puigdemont për të sqaruar nëse e shpalli mëvetësinë apo jo. Nëse deri të hënën ai konfirmon se bëri pikërisht një gjë të tillë, atëherë do t’i jepen tre ditë të tjera kohë për ta tërhequr deklaratën. Në të kundërt, Madridi do të aktivizojë nenin 155 të Kushtetutës, i cili e lejon të pezullojë autonominë e rajonit të pasur dhe të vendosë mbi të sundim direkt. Neni në fjalë nuk është përdorur asnjëherë më parë.

“Ka një nevojë urgjente për t’i dhënë fund situatës në Katalonjë e për të rikthyer sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin e kjo duhet bërë sa më shpejt. I takon liderit katalanas që të rikthejë normalitetin kushtetutes”, tha Rajoy.

Dita Kombëtare është një festë publike që kremton ribashkimin e Spanjës dhe mbërritjen e Kristofor Kolombit në Amerikë në vitin 1492. Në kryeqytetin Madrid do të zhvillohen parada ku do të marrin pjesë si kryeministri Mariano Rajoy, ashtu edhe Mbreti Felipe.

Të tjera evente janë planifikuar në pjesë të ndryshme të vendit. Ndryshimi është që këtë vit ato vijnë në mesin e trazirave që shkaktoi referendumi katalanas i 1 tetorit, i shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetutese e Spanjës. Pas ditë të tëra spekullimesh, Puigdemont firmosi deklaratën e pavarësisë në Barcelonë të martën, kur e pezulloi implementimin e saj për t’i lënë hapësirë dialogut me Madridin, një lëvizje kjo që zemëroi separatistët e linjës së ashpër e ngjalli përbuzjen e qeverisë qendrore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA