
Kategoria Superiore rikthehet në qendër të vëmendjes pas sfidave të Kombëtares. Këtë të enjte luhen ndeshjet e javës së pestë dhe sfida më e rëndësishme është ajo që do të luhet në Durrës mes Teutës dhe Partizanit.
Të Kuqtë janë në një moment shumë delikat dhe këtë e pranoi edhe vetë trajneri Iuliano.
“Lojtarët kanë punuar shumë gjatë këtyre ditëve. E dimë që jemi në një moment delikat, por i kemi aftësitë dhe mundësitë për të ndryshuar situatën. Nuk është momenti për të folur për krizën, por për të treguar atë që dimë të bëjmë në fushën e lojës. Nuk e di se cfarë do të ndodhë me mua nëse nuk fitojmë me Teutën nuk kam sferën e kristaltë për ta parë. Kemi luajtur 4 ndeshje dhe problemu ynë më i madh ka qene mungesa e golit. Nuk na mbetet vecse të korrigjojmë gabimet e bëra deri tani dhe kjo të nisë pikërisht nga sfida me Teutën”, tha ai.
Më të lehtë pritet ta ketë përballjen e tij Kukësi që do të luajë ndaj Lushnjes. Trajneri Milinkoviç theksoi se pret fitoren e skuadrës së tij.
“Ne në cdo ndeshje hyjmë për të fituar. Nëse me Lushnjen kjo nuk ndodh do të jetë një zhgënjim për ne sidomos për vazhdimësinë dhe garën për titull. Skënderbeu e ka nisur mirë kampionatin, ndërkohë që edhe Partizani nuk duhet lënë jashtë listës së pretendentëve. Një fitore në këtë moment kur edhe kalendari është më i ngjeshur, do të na ndihmonte në aspektin psikologjik”, deklaroi trajneri i kuksianëve.
Renditja e Superiores kryesohet nga Skënderbeu me 10 pikë dhe ndjekin Kukësi, Flamurtari e Teuta me 3 pikë më pak.
Top Channel