Madridi refuzon dialogun: S’ka bisedime pas pezullimit të pavarësisë

11/10/2017 00:00

Qeveria spanjolle e refuzoi deklaratën e pavarësisë së firmosur nga presidenti i Katalunjës, Carles Puigdemont, e hodhi poshtë thirrjet e tij për ndërmjetësim.

Zëvendëskryeministri spanjoll e përshkroi Puigdemontin, si dikë që nuk e di se ku është e ku po shkon, ndërsa kreu i ekzekutivit Mariano Rajoy mblodhi me urgjencë kabinetin për të diskutuar hapat e ardhshme të qeverisë.

Pati goxha spekulime një ditë më parë, se udhëheqësi katalanas do të shpallte pavarësinë dhe nisjen e procesit të shkëputjes, duke thelluar kështu krizen politike të Spanjës. Por, edhe pse e firmosi deklaratën e mëvetësisë, ai zgjodhi ta ndalonte implementimin e saj, për t’i lënë hapësirë dialogut me Madridin.

Partitë opozitare katalanase morën hov nga lëvizja e tij, për t’i kujtuar sa gabim e kishte që në fillim.

“Askush në Europë nuk e mbështet atë që bëre ti, zoti Puigdemont. Askush”, tha Ines Arrimadas, udhëheqëse e partisë “Ciudadanos”.

Përçarje pati edhe te partitë pro pavarësisë, disa prej të cilave kërkojnë veprime radikale, ndërsa të tjerat luhaten në tone më pajtuese.

“Nga ky pozicion është krijuar paqartësi dhe këtë nuk ia lejojmë dot vetes. Shtyrja e diçkaje që nuk po arrijmë ta mësojmë se çfarë është, vetëm sa e shton pasigurinë. Një pasiguri që prek kompanitë, por edhe familjet tona”, tha Miquel Iceta, kreu i partisë socialiste “PSOE”.

Krerët katalanas u tërhoqën në minutën e fundit nga shpallja e pavarësisë, e vendosën t’u lënë kohë negociatave me qeverinë qendrore. Duke folur para Parlamentit të Katalunjës, Puigdemont i bëri thirrje Madridit të hyjë në dialog, duke ia kujtuar sidoqoftë se rajoni e ka fituar të drejtën për mëvetësi.

Një sërë biznesesh, përfshirë dy banka kryesore të Spanjës, një kompani e rëndësishme e telekomunikacioneve dhe një grup ndërtuesish, si dhe një protestë masive gjatë fundjavës në Barcelonë nga 350 mijë katalanas që kundërshtonin shkëputjen, patën ndikim të fortë mes të moderuarve të shqetësuar nga perspektiva e një kolapsi ekonomik dhe trazirave civile.

Edhe vet kryetarja e Bashkisë së Barcelonës, Ada Colau ishte shprehur më herët kundër pavarësisë, duke thënë se do të kërcënonte bashkëjetesën sociale.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta