Dita e obezitetit, 124 mln fëmijë të prekur në botë

11/10/2017 00:00

Obeziteti mes fëmijëve dhe adoleshentëve është rritur me 10 herë në 4 dekada, gjë që do të thotë se 124 milionë djem e vajza në glob janë më të shëndoshë se ç’duhet.

Analiza në revistën “Lancet” është më e madhja e këtij lloji dhe ndalet te trendet e obezitetit në më shumë se 200 shtete.

Në Britani, një në çdo 10 të rinj nga mosha 5 deri në 19 vjeç është obez. Fëmijët obezë janë të prirur të bëhen të rritur obezë, gjë që i vendos ata përballë rrezikut të problemeve serioze shëndetësore.

Analiza e “Lancet”, e publikuar në Ditën Botërore të Obezitetit, vjen ndërsa kërkuesit e Federatës Botërore të Obezitetit paralajmëruan se kostoja globale e trajtimit të sëmundjeve të shkaktuara nga obeziteti do të bëhet shumë shpejt e papërballueshme për botën.

Edhe pse shkalla e obezitetit mes fëmijëve duket se po stabilizohet në disa vende europiane të pasura, po shënohet një rritje alarmante në shumë pjesë të tjera të botës. Kërkuesit besojnë se qasja dhe promovimi i ushqimeve të lira dhe të pashëndetshme është një prej faktorëve kyç.

Rritja më e madhe e numrit të fëmijëve dhe adoleshentëve obezë është regjistruar në Azinë Lindore. Kina dhe India po ashtu kanë parë shifra të ekzagjeruara vitet e fundit. Polinezia dhe Mikronezia kanë gjithashtu nivelin më të lartë nga të gjithë vendet, me thuajse gjysmën e popullatës së re mbipeshë apo obezë.

Sipas kërkuesve, nëse tendenca aktuale vazhdon, atëherë obeziteti do të bëhet shpejt më i zakonshëm sesa nënpesha. Numri i vajzave dhe djemve nën peshë në glob ka shënuar rënie, që nga kulmi i arritur në vitin 2000.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta