PE miraton amendamentin për gjuhën shqipe në provimin e jurisprudencës, thirrje autoriteteve në RMV: Protestat studentore të mos portretizohen si destabilizuese Aleksandar Vuçiç deklaroi se, teksti i letrës që Serbia do t’i dërgojë BE-së për referendumin e Katalunjës ka përfunduar dhe ai e ka vënë tashmë firmën e tij, por me kërkesë të Spanjës, që i druhet një përshkallëzimi të situatës, ka vendosur që Brukselit t’ia nisë në një datë më të vonë.
Në një konferencë për shtyp me Komisionerin e BE-së për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Christos Stylianides, Vuçiç shpjegoi se kryeministrja Ana Brnabiç, e nisur drejt Belgjikës të martën, do ta nënshkruajë letrën pas vizitës së saj, sapo të ketë marrë aprovimin e ekzekutivit.
Kjo shtyrje, sipas kreut të shtetit serb, nuk nënkupton se ai vet dhe qeveria do të rreshtin së kërkuari një përgjigje nga Bashkimi Europian, më së pari ndaj pyetjes sesi mëvetësia e Katalunjës nuk shpallet dot legjitime, kur e njëjta gjë ishte e mundur me Kosovën.
Përpjekjet e Beogradit për të hequr paralele me situatën e Kosovës vazhdojnë, pavarësisht sinjaleve të ndryshme, qoftë nga zyrtarë të bllokut, qoftë nga ish-figura të rëndësishme të BE-së, që tregojnë se nuk ka vend për krahasime.
Zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Schinas u përpoq ta shpjegonte javën e kaluar se, ndarja e Kosoves erdhi në një kontekst “shumë specifik”, e adoptuar nga deklarata dhe rezoluta të shumta të Kombeve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar.
Një ditë më parë, edhe ish-presidenti i Parlamentit Europian, Josep Borrell Fontelles deklaroi se Katalunja nuk është një shtet si Kosova, ku të drejtat e njerëzve ishin shkelur sistematikisht. Shkëputja e Kosovës u realizua përmes negociatash të ndërmjetësuara nga komuniteti ndërkombëtar, në vazhdën e procesit të kryesuar prej tij, që synonte përcaktimin e statusit të saj politik.
Top Channel