
E marta do të jetë dita e Kombëtares shqiptare U21. Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi do të përballet me Islandën, për kualifikueset e Europianit të vitit 2019, në “Elbasan Arena”, me 21-vjeçarët kuqezi që do të kërkojnë të bëjnë më të mirën në fushën e lojës.
“Islanda është një ekip më i fortë sesa ne. Por, nëse punojmë shumë fort, siç edhe bëmë në ndeshjen e parë, mund t’ia dalim. Nëse impenjohemi në çdo ndeshje do të jemi në gjendje që të mposhtim çdo kundërshtar”, tha Alban Bushi, trajner i Kombëtares U21.
Alban Bushi pranoi se ëndërron kualifikimin e Shqipërisë në Europian, por shtoi se skuardra e tij ka një rrugë të gjatë për të bërë.
“Sigurisht që e ëndërroj kualifikimin e Kombëtares në Europian, por kemi një rrugë të gjatë për të bërë në këto kualifikuese. Janë edhe 7 ndeshje për t’u luajtur”, tha Alban Bushi.
Për sfidën me Islandën foli edhe Keidi Bare, i cili u riaftësua shpejt nga dëmtimi i pësuar ditë më parë.
“Do të më pëlqente të shënoja një gol ndaj Islandës. Nuk e kam bërë këtë që nga koha kur luaja me U17. Arma jonë më e fortë është grupi dhe puna e përbashkët që bëjmë”, tha Keidi Bare, futbollist i Kombëtares U21.
Top Channel