Akademiku amerikan Richard Thaler, një prej krijuesve të konceptit të sjelljes ekonomike, është fituesi i Nobelit të sivjetshëm në Ekonomi.

Profesori i Universitetit “Booth School of Business” të Chicagos, është bashkautor i “best seller”-it “Nudge”, i cili hedh një vështrim mbi mënyrën sesi njerëzit shtyhen drejt zgjedhjeve të këqija apo të palogjikshme.

Për jurinë, termi i krijuar prej tij “nudging”, që i referohet shtysave të ndryshme, mund të ndihmojë njerëzit ta ushtrojnë më mirë vetëkontrollin.

Baza e teorisë së Thaler është e thjeshtë: Që të bësh ekonomi të mirë, duhet ta mbash gjithmonë parasysh se njerëzit janë njerëz e mund të bëjnë gabime.

Kjo i ka shërbyer si orientim edhe në studimin e procesit të vendimit dhe përzgjedhjes nga ana e konsumatorit. Sjellja ekonomike, bashkë me fushën tjetër të lidhur me atë të sjelljes financiare, studiojnë efektet e faktorëve psikologjikë, socialë dhe emocionalë në marrjen e vendimeve ekonomike nga individë e institucione, si dhe pasojat e tyre.

Nga Komiteti i Nobelit, ekonomisti 72-vjeçar do të marrë 9 milionë korona suedeze, apo 850 mijë paund, të cilat, siç tha edhe vet me shaka, do të përpiqet t’i shpenzojë “në mënyrën më iracionale të mundshme”.

Vitin e kaluar ishin Oliver Hart dhe Bengt Holmstrom, të cilët u nderuan për punën e tyre në përmirësimin e hartimit të kontratave, marrëveshjeve që lidhin së bashku punonjësit me punëdhënësit, apo kompanitë me klientët e tyre.

Çmimi Nobel në Ekonomi jepet pas dorëzimit të trofeve prestigjiozë në fushat e tjera, si Fiziologjia apo Mjekësia, fituar nga Jeffrey C. Hall, Michael Rosbash dhe Michael W. Young; Nobeli i Fizikës i fituar nga Rainer Weiis, Kip Thorne dhe Barry Barish; ai i Kimisë i fituar nga Jacques Dubochet, Joachim Frank dhe Richard Henderson; Nobeli i Letërsisë i fituar nga Kazuo Ishiguro; si dhe Nobeli i Paqes i fituar nga organizimi kundër Armëve Bërthamore.

Top Channel