Ekonomia, më optimiste. Pozitiviteti te konsumi dhe ndërtimi

09/10/2017 00:00

Optimizmi i biznesit dhe konsumatorëve për ekonominë u rrit në tremujorin e tretë të vitit. Banka e Shqipërisë deklaroi se indeksi i ndjesisë ekonomike, tregues i cili mat perceptimet e familjeve dhe bizneseve mbi gjendjen e ekonomisë, u rrit me 1.8 pikë përqindje në periudhën korrik-shtator.

Të dhënat e detajuara të publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se rritja e optimizmit në ekonomi gjatë tremujorit të tretë ka ardhur kryesisht nga konsumatorët dhe sektori i ndërtimit, ndërkohë që industria dhe shërbimi rezultuan më të ulëta se një tremujor më parë.

Por pavarësisht rënies në shërbime dhe industri, treguesi total i ndjesisë, i cili përfshin perceptimet e të gjithë sektorëve, qëndron 13.8 pikë mbi mesataren e tij afatgjatë.

Kjo do të thotë se në total biznesi dhe individët vlerësojnë se situata aktuale e ekonomisë është dukshëm më e mirë se sa mesatarja e 10 viteve të fundit. Sipas vrojtimit të BSH, vlerësimi i biznesit dhe konsumatorëve për ekonominë filloi të ndryshojë në kahun pozitiv në fillim të vitit të kaluar.

Sipas BSH, pas tremujorit të parë të 2016-s, perceptimi i publikut për gjendjen ekonomike është përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme me mbi 20 pikë, një periudhë kjo e cila përkon edhe me përshpejtimin e rritjes ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA