Mbërrin Italia, tifozë shqiptarë në aeroport për t’i pritur

08/10/2017 00:00

Rreth  orës 17:30 përfaqësuesja italiane ka mbërritur në Aeroportin “Nënë Tereza” nën masa të rrepta sigurie. Autobusi që ka shoqëruar skuadrën axurre ka qenë në pistë sëbashku me makinat e forcave Renea që e kanë shoqëruar në çdo moment lëvizjen e skuadrës së Venturës.

Disa dhjetëra tifozë që qëndruan pas rrethimit të aeroportit nuk arritën për asnjë moment të shihnin idhujt e tyre të cilët i pritën për disa minuta me simbolet e klubeve ku ata luajnë.

Menjëherë pas mbërritjes skuadra përfaqësuesja italiane u nis drejt Shkodrës ku do të akomodohet në hotel pasi nuk do të zhvillojë stërvitjen në stadiumin “Loro Boriçi” ku siç ndodh normalisht përpara çdo ndeshjeje.

Ky vendim është marrë për shkak të gjendjes së rënduar të fushës pas ndeshjes eliminatore të botërorit mes Kosovës dhe Ukrainës ditën e premte.

Kështu që të dyja skuadrat përfaqësuese, si ajo e Italisë dhe e Shqipërisë do të provojnë terrenin e stadiumit të Shkodrës vetëm ditën e ndeshjes. Ndërkohë është parashikuar që rreth orës 20:00 nga stadiumi “Loro Borici”, Gian Piero Ventura do të japë konferencën e fundit për shtyp në prag të ndeshjes me Shqipërinë.

Top Channel