
Pas barazimit zhgënjyes 1-1 ndaj Finlandës, në Zagreb, trajneri kroat Ante Caciç është larguar nga posti. Zlatko Daliç, një emër jo pak i njohur në Shqipëri, emërohet në krye të pankinës së kombëtares së Kroacisë.
Daliç, në sezonin 2008-2009 ishte drejtues i Dinamos së Tiranës, ekipit kryeqytetas që tashmë prej pak vitesh militon në Kategorinë e Parë. Me të në krye, Dinamo fitoi një Superkupë të Shqipërisë, teksa mposhtte asokohe Vllazninë e drejtuar nga Agim Canaj.
Zlatko Daliç u dorëhoq në janar të vitit 2009, pasi Dinamo u mposht 4-2 nga Tirana dhe 1-0 nga Partizani.
Tashmë ai do të ketë një detyrë të vështirë, ajo e të qenit të pranishëm në Botërorin e vitit të ardhshëm në Rusi, por më parë Kroacia duhet të bëjë llogaritë në një përballje të drejtpërdrejtë me Ukrainën në Kiev, për të siguruar të paktën pjesëmarrjen në “play off”.
Kroacia duhet të mposhtë Ukrainën e të shpresojë që Kosova të bëjë mrekullinë në Islandë, me ekipin ishullor që kryeson grupin I me 19 pikë, dy më shumë sesa kroatët dhe ukrainasit, të cilët ndahen prej golavarazhit më superior të ballkanasve.
Top Channel