Kombëtarja s’humbet kohë, nisin përgatitjet për Italinë

07/10/2017 00:00

Kombëtarja shqiptare nuk ka shumë kohë që të mendojë për disfatën me Spanjën dhe shumë shpejt nisi përgatitjet për sfidën me Italinë.

Kuqezinjtë tanë, që mbërritën në vend në orët e para të mëngjesit të së shtunës udhëtuan direkt drejt Durrësit, ku pasdite nisën edhe seancën e parë stërvitore për këtë përballje me “Të kaltrit”.

Këtë radhë trajneri Panuçi vendosi që të mos i ngarkojë shumë nga ana fizike futbollistët e tij, që duhet të rifitojnë energjitë pas sfidës me Spanjën.

Kombëtarja shqiptare edhe në përballjen me Italinë do të ketë mungesa; atë të Xhakës dhe Llullakut, por asaj i kthehen Mavraj, Roshi dhe Kukeli që nuk ishin në sfidën e Alikantes për shkak kartonash.

Në Shkodër, kuqezinjtë do të presin Italinë në një ndeshje ku do të kërkojë të blindojë përfundimisht vendin e tretë në Grup.  Matematikisht në këtë pikë llogaritë janë ende të hapura, pasi Izraeli është vetëm 1 pikë larg, por ndeshjen e fundit në Grup do ta luajë në shtëpi ndaj Spanjës, që do të shkojë si e kualifikuar, ndërsa që Shqipëria do të luajë me Italinë së cilës minimalisht i duhet një barazim për të diskutuar kualifikimin në fazën e playoffit.

Një situatë kaotike kjo në përfaqësuesen kuqezi, që po kalon një tranzicion jo të lehtë nga De Biazi tek Panuçi, i cili ende nuk ka arritur të konsolidojë një formacion bazë, i kushtëzuar në këto ndeshje të fundit edhe nga mungesat prej kartonave apo dëmtimeve.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Italisë do të luhet më 9 tetor në “Loro Boriçi” në Shkodër.

Top Channel