Goditi makinën e policisë, Bekteshi: Nuk desha. U largova nga frika

07/10/2017 00:00

Drejtuesi i mjetit që goditi makinën e nëndrejtorit të policisë së Elbasanit ka dalë këtë të shtunë në gjykatë.

Në dëshminë përpara prokurorëve dhe togave të zeza, shtetasi Enea Bekteshi ka dhënë variantin e tij për ngjarjen.

“Isha unë që po e drejtoja makinën. Ia kisha marrë pa leje Petrit Çelës”, ka thënë Bekteshi, i cili ka mohuar që të ketë pasur qëllime agresive në veprimet e tij.

“Nuk kisha ndërmend të godisja nëndrejtorin e policisë. Nga vendi i ngjarjes ika sepse u tremba”, ka thënë Bekteshi.

Një tjetër argument përmes të cilit i pandehuri ka dashur të përforcojë variantin e tij ka qenë se është përdorues i lëndëve narkotike. “Jam prej 12 vitesh përdorues i hashashit”, ka thënë Bekteshi.

Në përfundim të seancës, pasi ka dëgjuar pretendimet e Bekteshit, trupi gjykues ka pranuar masën e propozuar nga prokurorët, “arrest me burg” për të dhe kunatin e tij Aleks Pupuleku, i përfshirë në ngjarje.

Top Channel