Panucci në dilemë, Sadiku mund ta nisë nga stoli

06/10/2017 00:00

Dilemat për të zgjedhur një formacion bindës ndaj një kundërshtari si Spanja kanë mbërthyer kokën e trajnerit Panuccit dhe një konfuzim shumë i madh reflektohet edhe në raportime për skuadrën që do të zbresë në fushë.

Në raportimet që bëjnë kolegët e Supersport direkt nga Alikante mësohet do të ketë ndryshime nga formacioni që u raportua një ditë më parë ose më saktë nga skuadra që u provua në stërvitjen e fundit të zhvillua të enjten në mbrëmje.

Në repartin difensiv, së bashku me portierin Berisha, kapitenin Agolli, Hysaj dhe Ajetin, mendohen të aktivizohen Memolla dhe Balliu. I pari kaloi një test të mirë një muaj më parë në Maqedoni, ndërsa i dyti është një emër i ri në skuadër dhe për më shumë është rritur në akademinë e Barcelonës.

Në mesfushë të rikthyerit Xhaka e Kaçaj janë zgjedhje të sigurta, ndërkohë që dyshimet janë për Bashën. Orët e fundit ka fituar më shumë terren Memushaj, që shihet si një lojtar që ka një qasje më të mirë me topin, më shumë vrapim e fantazi për mesfushën.

Edhe në sulm mendohet që Lullaku e Grezda të nisin nga minuta e parë, duke shtyrë drejt pankinës Armando Sadikun.

Top Channel