
Kuba, vendlindja e “daiquiri”-t, feston 200-vjetorin e koktejit të famshëm, e të apasionuar pas tij nga e gjithë bota kanë vërshuar në Havana për të ngritur një dolli.
“La Floridita”, restoranti dhe bari i mirënjohur për “daiquiri”-t e tij, shihet nga kubanët si pikë referimi gati historike. Ishte shkrimtari i madh amerikan, Ernest Hemingway, ai që i solli famë në mbarë globin, me preferencën e vet të palëkundur për lokalin dhe pijen e tij të veçantë.
Kremtimeve në kryeqytetin kuban iu bashkuan dhe baristë ndërkombëtarë.
“Lidhja që bëhet mes Floriditës dhe Hemingwayt është një mënyrë e jashtëzakonshme për të treguar marrëdhenien mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës. Mendoj se ka një shkëmbim idesh dhe shijesh, e në thelb edhe një ndjenjë dashurie mes dy popujve tanë. Për mua, ky bar përfaqëson gjithë çfarë po them. Është lidhja fizike mes dy vendeve dhe ‘daiquiri’ mbetet kokteji perfekt, një ekuilibër i shkëlqyer i alkoolit, të ëmblës dhe të thartës”, tha TJ Palmieri, barist amerikan.
“Mendoj se kjo përzierje e Constantes (ish-baristi që e perfeksionoi ‘daiquiri’-n), pijes vet dhe Hemingwayt na ka shtyrë përpara për kaq kohë. Nuk ma merr mendja se ka ndonjë biznes tjetër në Amerikën Latine që të ketë ecur në mënyrë të tillë të pandërprerë për 200 vite, me forcën, energjinë dhe prestigjin që gëzon Floridita”, tha një menaxher lokal.
“La Floridita” ka qenë një destinacion popullor për turistët amerikanë në Kubë, që kur pushtetin e morën në duar vëllezërit Castro, e ndërsa shteti ishull po përjeton një bum të turizmit, brezat e rinj kanë mundësinë ta zbulojnë edhe vet barin ikonë.
“Daiquiri” ka në përbërje rum, limon jeshil, sheqer dhe akull të copëtuar. Ai u krijua nga Constantino Ribalaigua Vert në vitin 1918.
Top Channel