Dështimi i Argjentinës, tifozët kundër. Sampaoli ende beson

06/10/2017 00:00

Nuk mjaftoi falja e biletave për tifozët ultras, zgjedhja e një stadiumi mitik si “Bombonera” dhe arsenali sulmues që e ka zili çdo kombëtare.

Përfaqësuesja e Argjentinës në futboll nuk shkoi më shumë sesa barazimi pa gola ndaj Perusë, që e lë thuajse jashtë Botërorit 2018, me tifozët dhe mediet që tani kanë dalë hapur kundër ekipit.

Ndalesa zhgënjyese ndaj rivalëve ishte pasqyrë e një situate kritike në këto kualifikuese, që kurrë nuk janë ngritur në lartësinë e një nënkampioneje bote. Shtypi argjentinas e ka quajtur formacionin e Sampaolit një skuadër pa ide, e cila edhe nëse ia del të hyjë në “play off” e të kualifikohet, do të dalë nga Botërori që në fazën e grupeve.

Trajneri Sampaoli, i detyruar të veshë kostumin e motivuesit të grupit për sfidën e fundit që vlen shumë, tha se beson te kualifikimi.

“Nuk kam asgjë se çfarë të kritikoj te loja, por me bindjen që kishim do të fitojmë kundër Ekuadorit të martën. Kam një besim të verbër te futbollistët e mi, pasi mungoi vetëm goli, por jo loja. Javën tjetër është e sigurtë fitorja”, tha trajneri i Argjentinës.

Ajo çfarë shqetëson më shumë tifozët dhe shtypin është gëzimi për entuziazmin e sfidave të tjera, dhe jo zhgënjimi për barazimin. Të martën, në stadiumin e Quitos do të mjaftojë fitorja, por edhe kjo duket utopi për një ekip të varfër në gola dhe ide.

Top Channel