
Ferrari ka shkëlqyer nën qiellin me re të Suzukës në sesionin e parë të provave të lira të Çmimit të Madh të Japonisë. Ishte pikërisht gjermani Vettel, ai që regjistroi kohën më të mirë në pistë të thatë, përpara se të nisnin reshjet e shiut të parashikuara.
Sebastian Vettel regjistroi kohën 1 minutë, 29 sekonda dhe 166 të mijëtat me gomat super të buta, një rekord i ri për pistën e Suzukës, ndërkohë që rivali Hamilton u rendit pas tij me vetëm 211 të mijëtat. I frikshëm si gjithmonë në këto garat e fundit Red Bulli, që me Ricciardon u rendit i treti me vetëm 375 të mijëtat vonesë. Koha e katërt më e mirë ishte e finlandezit të Ferrarit, Raikkonen, me 472 të mijëtat më shumë dhe me një motor të ri.
Por ajo që ra në sy është problemi me kambion që pësoi Valtteri Bottas, finlandezi i Mercedesit, i cili është detyruar ta ndryshojë atë dhe do të jetë i penalizuar me 5 vende, që do t’i zbriten pozicionit përfundimtar të provave zyrtare të së shtunës.
Sa i përket sesionit të dytë të provave të lira, ai nisi (nëse mund të quhet edhe kështu), por me një “pit lane” të transformuar në një “lumë” nga reshjet e rëna. Për 45 minutat e para nuk zbriti asnjë pilot në pistë, ndërsa më pas dikush guxoi, por pa ia vlejtur “barra qiranë”. Koha më e mirë e sesionit të dytë u vendos nga Hamilton, me 1 minutë, 48 sekonda dhe 719 të mijëtat, me britanikun që u ndoq nga Ocon dhe Perez. Por diferenca me kohët e sesionit të parë janë tejet të mëdha. Vettel e Raikkonen nuk rrezikuan aspak.
Provat zyrtare do të mund t’i ndiqni të shtunën në orën 07:00 në Top Channel HD, ndërsa garën për Çmimin e Madh të Japonisë të dielën, duke nisur nga ora 08:00.
Top Channel