
Kombëtarja spanjolle e futbollit zbarkoi në Alicante, në vigjiljen e sfidës kualifikuese të Botërorit 2018 ndaj Shqipërisë, një ndeshje e kthyer në një ekuacion të vështirë, jo aq për nivelin e kundërshtarit, sesa për klimën e tensionuar politike, reflektuar edhe në sport.
Më shumë se 200 mbështetës të “La Roja”-s ishin të pranishëm në hotelin “Melia”, por thuajse asnjë nuk u tregua dashamirës ndaj mbrojtësit Gerard Pique.
Futbollisti iberik, në përplasje të hapur me grupimet e tifozëve për shkak të mbështetjes së referendumit katalanas për pavarësinë, ishte arsyeja e ndërprerjes së seancës stërvitore të mërkurën, e u bë objekt i fyerjeve edhe në Alicante.
Vetëm trajneri Julen Lopetegui ndaloi fillimisht në grupin e njerëzve që e prisnin duke firmosur autografe, ndërsa më pas takuan tifozët dhe disa lojtarë të tjerë, veç mbrojtësit të Barcelonës që iu përgjigj fyerjeve me tundjen e kokës.
Spanja do të luajë me Shqipërinë të premten, në stadiumin “José Rico Pérez” të Alicantes, me luksin e vendit të parë që e çon drejtpërdrejt në Botërorin 2018.
Top Channel