Serbia nuk vonoi të hiqte paralele mes situatës së Katalunjës dhe Kosovës, shkëputjen e së cilës, sipas Ivica Daçiç, fuqitë botërore e mirëpritën, ndërsa referendumin katalanas e dënojnë me forcë.

Shefi i diplomacisë serbe e akuzoi komunitetin ndërkombëtar për standarde të dyfishta.

“Bashkimi Europian nuk do ta pranojë kurrë se gaboi me njohjen e Kosovës, – tha Daçiç për televizionin publik “RTS”. – Por atij vendimi do t’ia dëgjojë krismën. Kutia e pandorës është hapur”.

Qëndrimi që mban ndaj Kosovës është një prej pengesave kryesore të Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Brukseli ia ka bërë të qartë se, po nuk përmirësoi marrëdhëniet me Prishtinën e po nuk iu dha fund përpjekjeve për t’i bllokuar asaj afrimin me organizmat ndërkombëtarë, aderimin do ta ketë të vështirë.

Më herët, presidenti serb Aleksandar Vuçiç thirri disa prej ministrave të tij për konsultime, pasi zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Schinas deklaroi se krahasimet mes Spanjës dhe Serbisë janë të pavend, duke qenë se ndarja e Kosovës erdhi në një kontekst “shumë specifik”.

“Një pozicion i tillë, – shpjegoi Schinas, – u adoptua nga deklarata dhe rezoluta të shumta të Kombeve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar. Ndodhi në një kontekst të caktuar, për arsye të caktuara”, deklaroi ai.

“Reuters”, që përcjell këtë lajm, kujton se ndarja e Kosovës u realizua gati një dekadë pasi NATO-ja ndërhyri me sulme ajrore për zmbrapsjen e forcave serbe, e për t’iu dhënë fund masakrave dhe dëbimit të shqiptarëve gjatë konfliktit dyvjeçar.

Top Channel