
Dita e parë e raundit të parafundit të kualifikueseve të zonës së Europës për “Rusi 2018” ka nisur me një rekord historik të vulosur nga Lewandowski, me sulmuesin e Polonisë dhe Bayern Munchen që futet tashmë në historinë e kombëtares së tij, si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave.
Polonia, në fakt bëri veçse detyrën dhe pa hasur shumë probleme, në transfertën e Jerevanit përballë Armenisë, ndaj së cilës fitoi me një rezultat tenistik 6-1.
Tashmë, polakët “kanë vrapuar” përpara ekranit për të parë ndeshjen tjetër të grupit të tyre, atë mes Malit të Zi dhe Danimarkës, që në rast se përfundon në barazim do t’u jepnin polakëve biletën e kualifikimit drejtpërdrejt për në Botërorin e Rusisë. Edhe nëse njëra prej rivaleve për vendin e dytë do të fitojë, duket se Polonia do të ketë më shumë shanse, për shkak të golavarazhit të përmirësuar ndjeshëm me këtë fitore të fundit të thellë ndaj armenëve.
Për Poloninë shënoi Grosiçki, e më pas shkroi gërmat “me të arta” edhe Lewandowski, me një trigolësh të tij, ndërsa shënuan edhe Blaszczykowski dhe Wolski.
Qendërsulmuesi i Bayernit shënon kështu shifra mbresëlënëse: 24 gola në 14 ndeshjet e fundit me kombëtaren polake, 15 prej të cilave gjatë kësaj fushate kualifikuesesh, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë në Europë përpara Cristiano Ronaldos.
Por mbi të gjitha, Lewandowski futet në historinë e Polonisë, falë rekordit prej 50 golash në 90 ndeshje të luajtura, duke u shpallur golashënuesi më i mirë në histori, pasi tejkaloi Wlodzimierz Lubanski, lojtar që në vitet 1963-1980 kishte shënuar 48 gola në 75 ndeshje të luajtura.
Top Channel